Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, është takuar me legjendën e futbollit botëror, Ronaldo Nazário, i njohur si "Fenomeni". Lajmin e ka bërë të ditur vetë Ademi përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku ndau edhe një fotografi me kampionin brazilian.
Gjatë këtij takimi, Ademi theksoi rëndësinë e lidhjes së veçantë të brazilianit me Kosovën, duke iu referuar vizitës së tij historike në qershor të vitit 1999. Menjëherë pas përfundimit të luftës, Ronaldo vizitoi qytetin e Gjakovës, i cili ishte dëmtuar rëndë nga konflikti, në rolin e tij si Ambasador i Vullnetit të Mirë i OKB-së.
Sipas kreut të FFK-së, kjo vizitë shërbeu si një moment mbështetjeje morale për qytetarët në një periudhë tejet të vështirë për vendin. Ademi e cilësoi Ronaldon si një kampion të madh, jo vetëm për arritjet e tij në fushën e blertë, por edhe për angazhimin e tij humanitar ndërkombëtar.