Pini Zahavi, agjenti i sulmuesit Robert Lewandowski, pritet të zhvillojë bisedime me drejtuesit e Juventusit në ditët në vijim për një transferim të mundshëm gjatë verës. Kjo sipas Mundo Deportivo, mes pasigurisë në rritje për të ardhmen e tij te Barcelona.
Kontrata e Lewandowskit skadon në fund të sezonit. Klubi katalanas ka ofruar një zgjatje njëvjeçare me ulje të ndjeshme të pagës, por sulmuesi polak, i cili po i afrohet moshës 38 vjeç, ka hezituar ta pranojë. Barcelona vazhdon të shprehë dëshirën për ta mbajtur.
Juventusi e sheh Lewandowsk-in si zgjidhje ideale për të forcuar repartin ofensiv, ndërsa trajneri Luciano Spalletti kërkon një qendërsulmues të ri për sezonin e ardhshëm. Megjithatë, klubi italian duhet të zgjidhë edhe të ardhmen e Dušan Vlahoviçit, i cili ndodhet në fazë vendimtare të kontratës së tij.
Milan po monitoron situatën nga afër. Lewandowski vetë është i hapur për të qëndruar në Katalonjë. Një vendim përfundimtar nuk pritet të merret para fundit të prillit, ndërsa negociatat vazhdojnë.