Deputeti Agron Shehaj u përplas në Kuvend me kolegët socialistë lidhur me protestat e banorëve të fshatit Rrjoll, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e resortit nga kompania Genner 2 në pronat e tyre, dhe u përjashtua nga seanca plenare.
Pas përfundimit të fjalës së tij, Shehaj nuk liroi menjëherë foltoren dhe iu afrua tavolinës së socialistëve duke treguar foton e një 19-vjeçari të dhunuar nga policia në Rrjoll.
"Plasi sytë këtu, po mbron pronën e vetë", tha ai duke i bërtitur pranë fytyrës deputetit Taulant Ballës.
Shehaj akuzoi socialistët: "Mirë si i keni vjedhur pronat, por dhe po i dhunoni". Ai përmendi videot e ngjarjes dhe pyeti nëse kishin provuar "shkopin e gomës mbi kurriz".
Nënkryetarja e Kuvendit e ndërpreu: "Zoti Shehaj, ju tërheq vëmendjen, ju heq të drejtën e fjalës, përjashtoheni nga seanca plenare".
"Pse po më përjashton, për Rrjollin?", reagoi Shehaj.
Nënkryetarja shpalli pesë minuta pushim.