Kryeshefi ekzekutiv i Trainkos, Agron Statovci, është tërhequr nga një deklaratë e publikuar në rrjetet sociale, e cila u cilësua si seksiste ndaj deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu. Në komentin e tij në një video të deputetes, Statovci kishte shkruar: “Tu e pa sojin e kësaj femre, jam ka e lëshoj edhe gruan…”.
Pas reagimeve të shumta nga figura politike dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët e dënuan gjuhën e përdorur nga një zyrtar i lartë, Statovci e fshiu komentin dhe publikoi një shkrim në Facebook. Ai kërkoi falje publike, duke pretenduar se komenti ishte një “ironi momentale” që nuk kishte për qëllim ofendimin e deputetes. Ai e cilësoi presionin e ushtruar ndaj tij si një “fushatë të orkestruar”.
Çështja u bë publike pasi zyrtari i Trainkos, Asdren Ademi, shpërndau një fotografi të komentit në fjalë. Përveç reagimeve të gjera, ky rast shkaktoi pakënaqësi edhe brenda ndërmarrjes Trainkos. Disa punonjës pretenduan se, për sjellje të ngjashme, kolegë të tyre janë përballur më parë me procedura disiplinore. Deputetja Ganimete Musliu kishte paralajmëruar publikisht se do të ndërmerrte hapa ligjorë nëse Statovci nuk do të kërkonte falje brenda afatit prej 24 orësh.
Përditësime
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, reagoi pas kërkimfaljes së Agron Statovcit, duke e ndërlidhur gjuhën e përdorur me mentalitetin e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo theksoi se sjellja e zyrtarëve publikë ndaj grave në politikë dëshmon një qasje degraduese që sipas saj po promovohet nga kjo qeverisje.