Aivo Orav, shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, pritet të largohet së shpejti për një detyrë të re në Turqi.
Këtë e bëri të ditur Matti Maasikas, sekretar i përgjithshëm në detyrë në Shërbimin Evropian për Veprime të Jashtme (EEAS). Në një postim në rrjetin social X më 16 mars 2026, Maasikas shkroi: «Faleminderit Aivo Orav për punën e shkëlqyer të bërë në Kosovë! Do të mungosh shumë. Urime për detyrën tënde të re në Turqi dhe jam shumë i lumtur të vazhdoj të punojmë së bashku – ashtu si kemi bërë gjatë dekadave në role të ndryshme».
Postimi shoqërohet me foto ku Maasikas dhe Orav shkëmbejnë përshëndetje para godinës së EEAS-it.
Aivo Orav mori detyrën si drejtues i Zyrës së BE-së në Kosovë më 2 shtator 2024, pas Thomas Szunyog. Gjatë mandatit të tij, ai ka mbështetur proceset demokratike dhe bashkëpunimin rajonal në një periudhë të rëndësishme për zhvillimet politike dhe integruese të Kosovës.