Aivo Orav, ambasadori dhe shefi në largim i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, deklaroi se zgjedhja e presidentit ose presidentes është çështje e brendshme e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare nuk do të ndërhyjë.
Në një bashkëbisedim me gazetarë para largimit nga detyra, Orav theksoi se kjo zgjedhje u takon parlamentarëve kosovarë sipas Kushtetutës. Ai vlerësoi se Kosova është mjaft e pjekur dhe asnjë aleat nuk ka qasje për t’i treguar se kush apo si të zgjidhet presidenti. "Zgjedhja e presidentit apo presidentes suaj është zgjedhje juaj", u shpreh ai.
Orav iu përgjigj edhe kritikave nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët ankohen se kori diplomatik nuk viziton Gjykatën Kushtetuese dhe nuk bën presion mbi të. Ai sqaroi se vizita e tij e parë në këtë gjykatë ka qenë kortuazie dhe nuk nënkupton interferim në vendimmarrje.
Gjykata Kushtetuese ndodhet në prag të vendimit për dekretin e presidentes Vjosa Osmani lidhur me shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës. Orav shpjegoi se, si udhëheqës i Zyrës së BE-së, ka vizituar të gjitha institucionet shtetërore, duke përmbushur një obligim bazuar në aspiratën e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.