Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar më 26 mars ndaj deklaratave të fundit të disa individëve dhe politikanëve, të cilët kanë kërkuar heqjen e TVSH-së dhe akcizës për derivatet e naftës. Reagimi është publikuar në rrjetin social Facebook.
AKB-ja i ka cilësuar këto propozime si të rrezikshme, joserioze dhe pa bazë ligjore. Ato reflektojnë mungesë të theksuar të njohurive bazë për funksionimin e shtetit dhe sistemin fiskal. Ndryshimet në TVSH dhe akcizë nuk mund të bëhen me deklarata publike apo presion mediatik, por vetëm përmes procedurave ligjore dhe miratimit në Kuvendin e Kosovës.
Në reagim thuhet se është e papranueshme ngarkimi i opinionit publik me deklarata të tilla, kur TVSH-ja dhe akciza rregullohen me ligj. Këto qëndrime krijojnë konfuzion te bizneset dhe qytetarët, si dhe japin mesazh të gabuar për seriozitetin e përfaqësimit të interesave ekonomike.
AKB-ja nënvizon se zhvillimi ekonomik nuk bazohet në deklarata emocionale apo të pamenduara, por kërkon politika të qëndrueshme dhe të analizuara. Bizneset kanë nevojë për përfaqësim serioz dhe profesional, ndërsa politikat fiskale kërkojnë kompetencë dhe përgjegjësi, jo improvizime për efekt publik.
Organizata shpreh shqetësim për individët që, pa njohuri të mjaftueshme, prezantohen si përfaqësues të bizneseve, duke dëmtuar besueshmërinë e sektorit. AKB-ja u bën thirrje akterëve publikë të tregojnë maturi dhe profesionalizëm, duke theksuar se pa institucione funksionale si Kuvendi dhe qeveria, kërkesat e tilla mbeten të parealizueshme.