Punimet për ndërtimin e aksit rrugor Berat–Ballaban kanë përparuar ndjeshëm, duke hyrë në fazën përmbyllëse të tyre. Kryeministri Edi Rama njoftoi se projekti, i cili po zhvillohet në 3 lote, vijon me ritme të larta për të garantuar një infrastrukturë sa më funksionale për përdoruesit e rrugës dhe banorët e zonave përreth.
Sipas njoftimit zyrtar, pjesa kryesore e punimeve që lidhet me trupin e rrugës, veprat e artit dhe elementet e tjera infrastrukturore është përfunduar. Aktualisht, puna në kantier është përqendruar në realizimin e shtresave asfaltike, si dhe në vendosjen e sinjalistikës horizontale dhe vertikale. Gjithashtu, po vijon instalimi i barrierave metalike mbrojtëse (guardrail) për të rritur standardet e sigurisë në këtë aks.
Kjo rrugë vlerësohet si një projekt strategjik, pasi synon të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit. Ky aks pritet të lehtësojë lëvizjen e vizitorëve vendas dhe të huaj që udhëtojnë përmes akseve Përmet–Tepelenë, duke lidhur kështu më mirë dy qendra të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, Beratin dhe Gjirokastrën, të dyja të mbrojtura nga UNESCO.
Përditësime
Kryeministri Edi Rama konfirmoi zyrtarisht më 23 shtator se projekti i aksit Berat–Ballaban ka hyrë në fazën përmbyllëse. Ky zhvillim pason inspektimin e parë të kryer nga kreu i qeverisë në mars 2025. Rruga synon lidhjen strategjike të tre rretheve të jugut: Beratit, Tepelenës dhe Përmetit.