Punimet për ndërtimin dhe zgjerimin e aksit rrugor Elbasan–Rrogozhinë po vijojnë me ritme të larta, duke e çuar realizimin fizik të projektit në shifrën prej 87%. Ky segment rrugor, pjesë e rëndësishme e Korridorit VIII, ndodhet aktualisht në një fazë të avancuar, duke iu afruar përfundimit të planifikuar.
Sipas informacioneve të bëra publike nga kryeministri Edi Rama dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), fokusi kryesor është përqendruar në shtrimin e shtresave asfaltike në rreth 15 kilometra të rrugës. Ky proces është pjesë e punimeve në 6 fazat e para të projektit, të cilat synojnë rritjen e kapaciteteve lëvizëse dhe përmirësimin e sigurisë rrugore në Shqipërinë e Mesme.
Në segmentin Elbasan–Papërr, përkatësisht në Fazën 3, po punohet intensivisht për shtrimin e asfaltit mbi veprat e mëdha të artit. Ndërhyrjet janë të përqendruara në dy ura, ndërkohë që punimet për mbistrukturën në dy ura të tjera janë drejt përfundimit. Përfundimi i këtyre ndërhyrjeve konsiderohet një hap thelbësor për dorëzimin e veprës brenda afateve të parashikuara, duke siguruar një lidhje më funksionale ndërmjet Elbasanit dhe Rrogozhinës.