Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pasditen e sotme në lagjen nr. 3 të qytetit të Cërrikut, duke shkaktuar humbjen e jetës së një të riu. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, shtetasi O. M., 21 vjeç, ishte duke drejtuar një motomjet kur dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij. Për pasojë, mjeti është përplasur me një shtyllë, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të drejtuesit në vendngjarje.
Gjatë këtij aksidenti ka mbetur i dëmtuar edhe pasagjeri që ndodhej në motomjet, shtetasi D. C., 17 vjeç. Ky i fundit është dërguar me urgjencë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas të dhënave të autoriteteve, 17-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe është duke kryer veprimet procedurale. Autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në këtë ngjarje tragjike.