Një aksident rrugor me pasojë dy viktima dhe një të plagosur ka ndodhur në aksin Mollas–Gostime, në bashkinë e Cërrikut. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, në ngjarje janë përfshirë dy automjete, të drejtuara nga Sajmir Muça, 38 vjeç, dhe Qemal Cala, 63 vjeç.
Përplasja ka rezultuar fatale për Qemal Calën, i cili humbi jetën në vendngjarje, si dhe për pasagjerin që udhëtonte me të, Drilon Tabaku, 22 vjeç. Sajmir Muça, drejtuesi i automjetit tjetër, ka pësuar lëndime dhe është transportuar për ndihmë mjekësore në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Qemal Cala ishte mësues në shkollën “Osman Gjinishi” në Cërrik. Ndërkohë, shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë kryer veprimet procedurale në vendin e ngjarjes. Nën drejtimin e Prokurorisë, autoritetet po vijojnë punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.