Një aksident i rëndë rrugor ndodhi rreth orës 12:30 të së dielës, më 15 mars, në rrugën provinciale 185 "Rivoltana", segmenti drejt Mozzanica-s, pranë Caravaggio-s, Itali. U përfshinë katër automjete dhe la dy viktima si dhe tetë të plagosur, mes tyre fëmijë. Dinamika po hetohet nga Policia Rrugore e Treviglio-s.
Sipas rindërtimit paraprak, një Mercedes C180, e drejtuar nga një 29-vjeçare me origjinë shqiptare, rezidente në Calvenzano, tentoi të parakalonte një Volkswagen Sharan me një familje pesëpersonëshe nga Madignano, provincë Crema. Drejtuesi 48-vjeçar i Volkswagen-it deklaroi: "Dëshironte të më parakalonte, por më pas kuptoi se nuk kishte hapësirë dhe u përpoq të kthehej në korsinë e saj duke më goditur anash, gjë që më bëri të humbas kontrollin".
Volkswagen-i doli nga rruga, mori baltë në rrota, u rikthye në asfalt duke u rrotulluar dhe u përplas me një Jeep të drejtuar nga një 74-vjeçar nga Fontanella. Pas kësaj, Mercedes-i humbi kontrollin dhe kaloi në korsinë e kundërt, ku u përplas frontal me një Citroen C5 me një familje pesëpersonëshe nga Cernusco sul Naviglio.
Në Citroen ndodheshin Fabio Saladdino, 38 vjeç, në timon, bashkëshortja e tij 35-vjeçare, dy vajzat 5 dhe 6 vjeç, vjehrra Adele Villa, 73 vjeç, si dhe një qen Golden Retriever. Përplasja ishte e fortë: Mercedes-i u shkatërrua në pjesën e përparme dhe u rrotullua, ndërsa Citroen-i doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal.
Fabio Saladdino dhe Adele Villa u plagosën rëndë dhe vdiqën pavarësisht ndërhyrjes së shpëtimtarëve. Bashkëshortja e Saladdino-s u dërgua me helikopter në Spitalin Papa Giovanni XXIII në Bergamo, ndërsa vajzat shpëtuan pa plagë të rënda. Shofrerja e Mercedes-it u transportua me helikopter në një spital në Brescia. Të plagosurit e tjerë morën ndihmë të parë në vendngjarje. Kamerat e një restoranti pranë mund të kenë regjistruar ngjarjen.