Një aksident hekurudhor është shënuar të shtunën në mëngjes pranë stacionit të Mejës, në pjesën perëndimore të Kroacisë, ku një tren mallrash që transportonte drithëra ka dalë nga shinat. Ngjarja ndodhi rreth orës 09:25, ndërsa mjeti ishte duke lëvizur në drejtim të qytetit portual të Rijekës. Si pasojë e daljes nga shinat, 11 vagonë kanë rënë në një humnerë, ndërsa lokomotiva dhe dy vagonë të tjerë kanë mbetur në stacion.
Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i trenit kishte njoftuar dispeçerin se frenat kishin dështuar dhe se ai nuk po arrinte ta ndalte mjetin. Nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar, por janë shkaktuar dëme të mëdha materiale në infrastrukturën e stacionit. Për shkak të dëmeve, qarkullimi në këtë segment hekurudhor është ndërprerë, ndërsa për udhëtarët është organizuar transport zëvendësues me autobusë.
Kreu i bordit drejtues të HŽ Infrastruktura, Damir Lonçariq, ka deklaruar se shkaku përfundimtar mbetet subjekt i hetimeve, duke kërkuar kontrolle më rigoroze teknike për vagonët e operatorëve privatë. Nga ana tjetër, kryetari i Sindikatës së Drejtuesve të Trenave të Kroacisë, Nenad Mrgan, ka kritikuar kompaninë Transagent, duke theksuar se sindikata kishte paralajmëruar më herët mbi mangësitë e sigurisë teknike të mjeteve të kësaj kompanie. Ky është aksidenti i dytë i këtij lloji në këtë zonë gjatë viteve të fundit, pasi një ngjarje e ngjashme ishte regjistruar edhe tre vjet më parë.