Një ngjarje tragjike ka ndodhur mëngjesin e kësaj të hëne në qytetin e Pejës, ku një grua ka humbur jetën si pasojë e goditjes nga një tren. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili deklaroi se ngjarja është raportuar rreth orës 05:32 - 05:35, në momentin kur treni ishte nisur nga Peja në drejtim të Fushë Kosovës.
Viktima është identifikuar si shtetasja Florije Muriqi, rreth 50-vjeçare. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe ekipi i urgjencës mjekësore, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e saj. Gjithashtu, në vendngjarje ka dalë prokurori i shtetit dhe përfaqësues të Prokurorisë Themelore në Pejë, të cilët po mbikëqyrin veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të shkaqeve që çuan në këtë tragjedi.
Si pasojë e kësaj ngjarjeje, ndërmarrja hekurudhore Trainkos ka njoftuar anulimin e përkohshëm të dy linjave të planifikuara për ditën e sotme:
- Treni me numër 760 (relacioni Pejë-Prishtinë)
- Treni me numër 4201 (relacioni Prishtinë-Pejë)
Kompania bëri të ditur se anulimi është bërë për shkak të “rrethanave të papritura”, ndërsa njoftoi se treni me numër 4200 do të vazhdojë qarkullimin sipas orarit të planifikuar. Organet kompetente vazhdojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të këtij aksidenti fatal.
Përditësime
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar zyrtarisht se viktima e aksidentit të mëngjesit të sotëm është Florije Muriqi. Identifikimi i saj është kryer përmes procedurave ligjore në vendin e ngjarjes.