Një aksident automobilistik ka ndodhur në autostradën Nanjing Ring në Kinë, ku një automjet tip SUV u përplas me barrierat mbrojtëse. Aksidenti, i cili është filmuar nga kamerat e sigurisë, ndodhi pasi drejtuesi i mjetit bëri një manovër të papritur për të shmangur një tabelë plastike që ndodhej në rrugë.
Sipas raportimeve të policisë, automjeti doli nga kontrolli dhe u rrotullua disa herë në autostradë pas goditjes së parmakëve mbrojtës. Në makinë udhëtonin katër persona. Babai, i cili ishte në timon, dhe djali i tij në sediljen e përparme nuk pësuan lëndime, pasi kishin vendosur rripat e sigurimit.
Ndërkohë, nëna dhe fëmija tjetër që ndodheshin në sediljet e pasme, të cilët nuk kishin vendosur rripa sigurimi, u hodhën jashtë makinës përmes xhamit të thyer të pasmë gjatë rrotullimit të automjetit. Të dy kanë mbijetuar, por kanë pësuar fraktura në krahë. Pamjet e publikuara nga ngjarja dëshmojnë forcën e përplasjes dhe momentin kur pasagjerët në sediljen e pasme fluturuan jashtë mjetit.