Një aksident rrugor ka ndodhur paraditen e sotme në lagjen Sheq i Madh të qytetit të Fierit. Një automjet tip kamionçinë ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në krahun tjetër të rrugës, ku është përplasur me një shtyllë ndriçimi.
Sipas të dhënave paraprake, aksidenti nuk ka shkaktuar dëme në njerëz, duke rezultuar vetëm me dëme materiale. Forcat e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje për të dokumentuar rrethanat dhe shkaqet e plota të përplasjes. Dyshimet e para sugjerojnë se drejtuesi i mjetit ka lëvizur me shpejtësi tej normave të lejuara, gjë e cila ka çuar në daljen e automjetit nga rruga.
Banorët e zonës kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me sigurinë rrugore në këtë segment, veçanërisht gjatë orëve të natës. Ata i kanë kërkuar Bashkisë së Fierit ndërhyrjen për vendosjen e penguesve fizikë të shpejtësisë. Ky aksident shënon rastin e dytë brenda një harku kohor prej katër ditësh në të njëjtin vend, ku gjithashtu u shënua dëmtimi i një shtylle ndriçimi.