Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur në aksin e vjetër rrugor që lidh Fushë-Krujën me Laçin, në afërsi të fshatit Derven. Përplasja ka ndodhur ndërmjet një automjeti tip Benz dhe një motoçiklete, të cilën e drejtonte shtetasi Gjin Kola, banor i zonës.
Si pasojë e goditjes, drejtuesi i motoçikletës ka ndërruar jetë në vendngjarje për shkak të plagëve të marra. Pas njoftimit të autoriteteve, drejtuesi i automjetit, Luljan Vena, 24 vjeç, është shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Fushë-Krujës për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e dinamikës dhe shkaqeve të sakta që çuan në këtë ngjarje. Ndërkohë që hetimet vazhdojnë, do të kryhet edhe ekspertiza auto-teknike për të përcaktuar rrethanat e plota të aksidentit.