Një aksident rrugor është regjistruar gjatë orëve të natës në aksin Gjirokastër-Kakavijë, në vendin e njohur si NSHN. Në ngjarje janë përfshirë dy automjete, një Mercedes-Benz dhe një Audi, të cilat janë përplasur me njëra-tjetrën.
Sipas njoftimeve paraprake, nga përplasja kanë mbetur të plagosur tre persona, të cilët janë dërguar menjëherë për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore në spitalin e Gjirokastrës. Fatmirësisht, të gjithë të lënduarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të zbardhur dinamikën dhe shkaqet e sakta të këtij aksidenti. Përplasja ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në të dyja mjetet e përfshira.
Sipas të dhënave të raportuara, aksidenti ka ndodhur në dalje të qytetit të Gjirokastrës, ndërsa mjetet po lëviznin në drejtim të qytetit.
Përditësime
Grupi hetimor konfirmoi se numri i të plagosurve në aksidentin në aksin Gjirokastër-Kakavijë ka shkuar në 4 persona, nga 3 të raportuar më parë. Të dëmtuarit përfshijnë dy drejtuesit e automjeteve dhe dy pasagjerë. Sipas hetimeve paraprake, shkak për përplasjen dyshohet të jetë bërë një manovër e gabuar parakalimi nga drejtuesi i automjetit Audi.