Dhjetë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas një aksidenti trafiku të ndodhur në rrugën magjistrale Gjakovë–Klinë, në fshatin Mrasor. Ngjarja është raportuar rreth orës 19:10, kur të lënduarit u dërguan në Repartin e Emergjencës së Spitalit të Përgjithshëm të Gjakovës "Isa Grezda" për vlerësim dhe trajtim mjekësor.
Sipas njoftimit të institucionit shëndetësor, pas ekzaminimeve fillestare, pacientët janë shpërndarë në repartet përkatëse sipas gjendjes së tyre shëndetësore:
• Dy pacientë janë transferuar për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
• Pesë persona janë hospitalizuar në Repartin e Ortopedisë.
• Një pacient është pranuar në Repartin e Kirurgjisë.
• Një paciente shtatzënë është trajtuar në Repartin e Gjinekologjisë.
• Një person është liruar për të vazhduar trajtimin në shtëpi.
Spitali ka theksuar se të gjithë të lënduarit kanë marrë shërbimet e nevojshme shëndetësore në përputhje me protokollet mjekësore në fuqi. Në lidhje me këtë aksident, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, ka konfirmuar se Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor është duke kryer procedurat hetimore për të zbardhur rrethanat në të cilat ndodhi përplasja mes automjeteve.
Përditësime
Policia konfirmoi se aksidenti në fshatin Mrasor ndodhi rreth orës 18:30 dhe përfshiu dy automjete. Autoritetet sqaruan se numri i të lënduarve është 10, duke përgënjeshtruar raportimet e mëparshme për një shifër më të lartë, të cilat rezultuan nga ngatërrimi me incidente të tjera rrugore.