Një aksident rrugor është regjistruar më 25 mars në zonën e Tepelenës, në aksin rrugor Gusmar-Nivicë. Një automjet ka dalë nga rruga në një terren malor të vështirë dhe është rrëzuar në greminë nga një lartësi e konsiderueshme, duke përfunduar rrëzë një masivi shkëmbor.
Menjëherë pas njoftimit, strukturat e emergjencës kanë koordinuar ndërhyrjen në vendngjarje. Morën pjesë:
- Policia e Shtetit;
- Njësia Administrative Kurvelesh;
- Shërbimi i Urgjencës së Spitalit;
- Shërbimi Zjarrfikës.
Si rezultat i veprimit profesional, drejtuesi i automjetit, i cili ndodhej ende brenda mjetit rrëzë masivit shkëmbor, u nxorr dhe u transportua drejt spitalit për ndihmë mjekësore.
Sipas të dhënave paraprake, i plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Autoritetet po hetojnë shkaqet e aksidentit.