Një aksident rrugor ka ndodhur gjatë ditës së sotme në bypass-in e autostradës në Lushnjë, në afërsi të rrethrrotullimit të Plukut. Një automjet tip Ford ka humbur kontrollin, duke dalë nga rruga dhe duke u përplasur fillimisht me murin e një biznesi. Gjatë këtij procesi, mjeti ka rrëzuar një shtyllë ndriçimi dhe, pas disa rrotullimeve, ka përfunduar i përmbysur në anë të rrugës.
Drejtuesi i automjetit është dërguar me urgjencë nga ambulanca për në Spitalin e Lushnjës, ku po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë së Qarkullimit, të cilat po punojnë për dokumentimin e rrethanave të ngjarjes dhe menaxhimin e trafikut në zonë. Gjithashtu, ekspertët e Policisë Shkencore kanë nisur veprimet për kryerjen e ekspertizës.
Sipas të dhënave paraprake të autoriteteve, dyshohet se drejtuesi i mjetit ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi tej normave të lejuara, gjë që ka çuar në humbjen e kontrollit mbi automjetin.