Një ngjarje e rëndë u regjistrua orët e para të mëngjesit të datës 19 gusht 2026, rreth orës 02:22, në një rrugë dytësore në zonën e Manzës, Durrës. Automjeti, në të cilin udhëtonin pesë persona, humbi kontrollin dhe u përplas me një bordurë betoni. Përplasja rezultoi fatale për 24-vjeçarin Kleo Vrioni (drejtuesi i mjetit), 25-vjeçaren Sara Brugantelli dhe një shtetas 15-vjeçar, ndërsa dy persona të tjerë mbetën të plagosur dhe po marrin mjekim në Spitalin e Traumës.
Ekspertiza autoteknike dhe analizat toksikologjike të publikuara pas ngjarjes sqaruan dinamikën e aksidentit. Sipas konkluzioneve, automjeti ka qenë duke lëvizur me një shpejtësi prej 114 km/orë. Në momentin e marrjes së kthesës, drejtuesi ka humbur kontrollin, duke bërë që goma e parë në krahun e pasagjerit të godiste bordurën. Ky veprim ka sjellë humbjen e stabilitetit, përmbysjen e automjetit dhe rrëshqitjen e tij për rreth 40 metra deri në ndalim. Gjithashtu, analizat konfirmuan se drejtuesi i automjetit kishte konsumuar alkool.
Në orët e para pas ngjarjes, përpara daljes së ekspertizës zyrtare, eksperti i sigurisë rrugore Arben Luzi kishte ngritur dyshime se shkak mund të ketë qenë gjendja e lodhjes ose përgjumja e drejtuesit, nisur nga orari i vonë i aksidentit.
Përditësime
Autoritetet identifikuan zyrtarisht tre viktimat e aksidentit tragjik: çiftin e sapomartuar Kleo Vrioni, 25 vjeç dhe Sara Brugnatelli, 26 vjeçe, si dhe 15-vjeçarin Alvi Muhaxhiri. Media ka siguruar pamje filmike të ngjarjes, të cilat ndodhen tashmë në dispozicion të grupit hetimor për analizë të mëtejshme.
Pamje filmike të siguruara nga media hedhin dritë mbi dinamikën e aksidentit në Manzë. Videot konfirmojnë se automjeti ka goditur fillimisht platformën prej betoni ku ishte instaluar një tabelë sinjalistike. Ky impakt i drejtpërdrejtë ka bërë që drejtuesi të humbë kontrollin e mjetit, i cili më pas ka përfunduar në kanalin anësor të rrugës.
Grupi hetimor përcaktoi orën 02:22 të ditës së mërkurë si momentin e saktë kur ndodhi aksidenti tragjik në Manzë. Ky detaj teknik i shtuar dosjes hetimore ndihmon në rikonstruktimin e plotë të dinamikës së lëvizjes së automjetit përpara impaktit fatal.