Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e 27 gushtit në aksin rrugor të vjetër që lidh fshatin Fishtë me superstradën Lezhë–Shkodër. Një automjet tip “Audi”, i cili drejtohej nga shtetasi E. K., rreth 33 vjeç, është përplasur me një të mitur që po lëvizte me monopatinë. Si pasojë e goditjes së fortë, i mituri ka humbur jetën gjatë rrugës për në spital, pavarësisht përpjekjeve për t’i ofruar ndihmë mjekësore urgjente.
Pas përplasjes, automjeti ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor. Brenda mjetit tip “Audi” udhëtonin gjithashtu bashkëshortja dhe fëmija i drejtuesit të mjetit, të cilët nuk kanë pësuar lëndime. Shtetasi E. K. është shoqëruar në Komisariatin e Policisë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Grupi hetimor ka mbërritur menjëherë në vendngjarje për të dokumentuar dinamikën e aksidentit dhe për të përcaktuar shkaqet zyrtare që çuan në këtë tragjedi. Policia vijon punën për hetimin e plotë të rastit.
Përditësime
Policia e Shtetit identifikoi drejtuesin e mjetit si 33-vjeçari Ervis Kume. Autoritetet saktësuan se viktima ishte 13 vjeç, ndërsa ngjarja ndodhi në aksin rrugor Blinisht-Fishtë.
Hetimet paraprake tregojnë se errësira dhe mungesa e ndriçimit në monopatinë kanë qenë faktorët kryesorë që çuan në aksidentin tragjik. Viktima, djali i vetëm i familjes Ndoka, ishte duke u kthyer nga një ndeshje në kalçeto në momentin e përplasjes. Autoritetet rikujtojnë se përdorimi i monopative në rrugë publike mbetet i ndaluar me urdhër të Ministrisë së Brendshme. Drejtuesi i automjetit, Ervis Kume, me origjinë nga Elbasani, mbetet nën hetim për zbardhjen e plotë të rrethanave.