Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Zhitom të Poliçanit, ku një 31-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e shembjes së një masivi dheu. Sipas të dhënave zyrtare, viktima, i identifikuar si B. K., po kryente punime për hapjen e një pusi uji në tokën e tij në momentin kur ndodhi aksidenti.
Punimet po kryheshin me një mjet tip fadromë, të drejtuar nga shtetasi E. Gj., 39 vjeç, banues në Berat. Gjatë procesit të punës, një sasi e madhe dheu është shkëputur papritur, duke zënë poshtë 31-vjeçarin. Pavarësisht përpjekjeve, plagët e marra nga shembja rezultuan fatale për jetën e tij.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve pranë Stacionit të Policisë Poliçan kanë referuar materialet në Prokurorinë e Beratit. Aktualisht, 39-vjeçari E. Gj. është nën hetim për veprën penale "Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë". Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.