Aksidenti ndodhi ndërsa grupi i pelegrinëve po udhëtonte në këmbë nga një tempull në provincën Mukdahan drejt një tempulli tjetër në provincën fqinje Ubon Ratchathani. Sipas njoftimeve nga autoritetet vendore, drejtuar nga guvernatori Vorayan Bunarat, automjeti ishte marrë pa leje nga shtëpia e familjes së 11-vjeçarit, i cili përshkoi rreth 10 kilometra përpara se të humbte kontrollin dhe të përplasej me pelegrinët.
Bilanci i viktimave është konfirmuar me 5 murgj që ndërruan jetë në vendngjarje dhe 3 të tjerë që vdiqën më pas në spital. Ndër të plagosurit numërohen 22 murgj dhe një laik, ndërsa spitali lokal i Mukdahanit ka apeluar për dhurime gjaku në ndihmë të të lënduarve.
Sipas shefit të policisë provinciale, gjeneralmajor Pairoj Thaiphutra, hetimet mbeten të hapura për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes. I mituri, i cili sipas informacioneve paraprake ka nevoja të veçanta, po ndiqet nga mjekët dhe kujdestarët e tij, ndërkohë që policia nuk ka proceduar ende me akuza zyrtare për shkak të rrethanave të ndjeshme të rastit.