Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka reaguar ndaj pretendimeve të shpërndara në rrjete sociale dhe media për sulme kibernetike ndaj institucioneve shtetërore. Në një njoftim zyrtar, AKSK thekson se nuk ka asnjë incident të konfirmuar që të ketë cenuar funksionimin, sigurinë apo integritetin e sistemeve shtetërore.
AKSK shpjegon se hapësira kibernetike monitorohet në mënyrë të pandërprerë, në bashkëpunim me institucionet publike dhe strukturat përgjegjëse. Mekanizmat e nevojshëm për identifikimin dhe reagimin ndaj incidenteve kibernetike janë në funksion të plotë.
Autoriteti thërret publikun dhe mediat të referohen vetëm te burimet zyrtare dhe të shmangin përhapjen e informacioneve të pakonfirmuara, të cilat mund të krijojnë paqartësi dhe panik të panevojshëm. AKSK do të vijojë të njoftojë opinionin publik në mënyrë transparente për çdo zhvillim të rëndësishëm në fushën e sigurisë kibernetike.
Ky reagim vjen pas publikimeve ditët e fundit, ku pretendohej se një grup hakerash nga Rusia kishte sulmuar dhe bllokuar faqet online të një institucioni shtetëror. AKSK rikujton se Shqipëria është përballur më herët me sulme kibernetike serioze nga Irani, në gusht të vitit 2022.