Prokuroria Themelore në Ferizaj ka zyrtarizuar ngritjen e aktakuzës ndaj shtetasit nga Maqedonia e Veriut, me inicialet E.A., për transportim të paligjshëm të lëndëve narkotike. Sipas organit të akuzës, ngjarja ka ndodhur më 30 janar 2026, datë prej së cilës i pandehuri mbahet në paraburgim.
Sipas dosjes së prokurorisë, E.A., duke zbatuar udhëzimet e personave të identifikuar si M.Q. dhe A.R., kishte udhëtuar me automjetin e tij tip VW Passat drejt Podujevës. Pas një takimi në një pikë karburanti, ai u udhëzua të ndalej në parkingun e një marketi. Aty, disa persona të tjerë, të cilët lëviznin me dy automjete Mercedes dhe një furgon Volkswagen Transporter, kishin vendosur në bagazhin e tij një çantë dhe një qese najloni me lëndë narkotike, duke mos e lejuar atë të dilte nga vetura. Pas kësaj, të pandehurit iu kërkua të vazhdonte lëvizjen drejt autostradës në drejtim të Hanit të Elezit.
Në orët e mbrëmjes, rreth orës 20:30, automjeti i të pandehurit është ndaluar nga Policia në afërsi të daljes për në fshatin Doganaj. Gjatë kontrollit, efektivët kanë gjetur 20 paketime me marihuanë, me peshë totale prej 6.121,08 gramësh, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
I pandehuri E.A. akuzohet për veprën penale "Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge", bazuar në nenin 267, paragrafi 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria i ka kërkuar Gjykatës kompetente që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet në përputhje me ligjin.