Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Njësia Ferizaj, në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI) dhe me asistencën e njësive të trafikut rrugor, kanë realizuar një operacion më 30 janar 2026, rreth orës 20:30, në segmentin Doganaj-Kaçanik të autostradës.
Policia ka ndaluar për kontroll një veturë me targa të Maqedonisë së Veriut, nën dyshimin për trafikim narkotikësh. Brenda saj ndodheshin dy persona meshkuj, shtetas të Maqedonisë së Veriut.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar si prova materiale:
• 20 paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, peshë totale 6.4 kg;
• 6 paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë, peshë totale 3.2 kg;
• Dy telefona mobilë;
• Veturën e implikuar.
Sipas vlerësimeve policore, vlera e tregut të kësaj sasie arrin rreth 80 mijë euro.
Të gjitha veprimet hetimore janë kryer në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj. Me aktvendim të prokurorit kujdestar, pas intervistimit, dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet vazhdojnë.