Monumenti NEWBORN, simbol i 17 shkurtit dhe i pavarësisë së Kosovës, u rrethua simbolikisht më 16 shkurt 2026 në Prishtinë me rrethoja hekuri si të një burgu. Aktivistët e platformës “Liria ka emër” vendosën në këto rrethoja një tabelë me logon e Dhomave të Specializuara dhe mbishkrimin “Kosova e burgosur”, pas përfundimit të ngjyrosjes së monumentit.
Eliza Hoxha, përfaqësuese e platformës, shpjegoi se ky reagim qytetar kundërshton atë që platforma e quan padrejtësi historike ndaj themeleve të shtetit. Sipas saj, burgosja simbolike e NEWBORN-it pasqyron ndjenjën e padrejtësisë që qytetarët e Kosovës përjetojnë përballë proceseve gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë. Me mbishkrimin “Kosova e burgosur”, ata shprehin indinjatën lidhur me gjykimin e historisë së luftës për liri dhe procesit të shtetformimit.
Aksioni lidhet me paraburgimin prej pesë vjetësh në Hagë të figurave kyçe të rezistencës dhe pavarësisë: Hashim Thaçi, ish-president dhe kryeministër që lexoi Deklaratën e Pavarësisë dhe udhëhoqi procesin e shtetndërtimit; ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli; si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi.
Përditësime
Nesër në Prishtinë mbahet protesta në mbështetje të ish-liderëve të UÇK-së të gjyqësuar në Hagë, në 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Aktivistët rrethojnë simbolikisht NEWBORN-in me rrethoja burgu.