Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar mbi 2.4 ton produkte ushqimore në Tregun Agro-Ushqimor të Tiranës, pas një denoncimi për tregtim të produkteve të pasigurta.
Kontrollet u zhvilluan në subjekte që tregtojnë produkte me origjinë shtazore. Nga 14 subjekte të planifikuara për inspektim, në 5 u krye kontroll i plotë, ndërsa 9 u gjetën të mbyllura.
Gjatë inspektimeve u konstatuan dhe u bllokuan:
• 197.5 kg produkte të pasigurta (djathë kaçkavall dhe fruta të thata);
• 2214.2 kg produkte pa etiketë ose me etiketim të parregullt (sallam dhe fruta të thata).
Të gjitha produktet e bllokuara kanë destinacion shkatërrimin.
Për shkeljet, që përfshijnë tregtim ushqimi të pasigurt, mungesë gjurmueshmërie dhe mungesë etiketimi, u vendosën 7 masa administrative me gjobë në vlerë totale 1.600.000 lekë. Sipas detajeve nga AKU:
• 800.000 lekë për tregtim ushqimi të pasigurt;
• 500.000 lekë për mungesë gjurmueshmërie;
• 300.000 lekë për mungesë etiketimi.
AKU njofton se do të vazhdojë kontrollet në terren për të garantuar sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit.
Përditësime
AKU bllokoi 4023 kg produkte bulmeti në një baxho në Fier.
Produktet përfshinin 1400 kg krem gjalpi, 2433 kg mozzarella, 90 kg gjalpë i freskët i lopës dhe 100 kg gjizë.
Gjobë prej 250.000 lekë për mungesë gjurmueshmërie, moszbatim të HACCP dhe mungesë etiketimi.
Ky incident është i pavarur nga ai në Tiranë.