Nenad Rashiç, lideri i partisë “Për liri, drejtësi dhe mbijetesë”, u ka bërë thirrje aktorëve politikë në Kosovë, veçanërisht Listës Serbe, të marrin përgjegjësi dhe të përfshihen në hartimin e propozimeve juridiko-teknike. Këto propozime synojnë lehtësimin e zbatimit të Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjetet, për të siguruar një tranzicion sa më pak të dhimbshëm për qytetarët.
Rashiç theksoi se politikanët duhet të gjejnë forma efikase dhe racionale për t’u përshtatur me këto ligje. Ai vlerësoi se diskutimi hapur dhe hapat konkretë janë të domosdoshëm, pasi situata ndikon drejtpërdrejt në jetën, sigurinë dhe dinjitetin e një numri të madh njerëzish.
Faza e parë e zbatimit të plotë ka nisur më 16 janar dhe do të zgjasë deri më 15 mars. Kjo periudhë përfshin informimin e qytetarëve për rregullat e reja, sipas rregullave të publikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Zbatimi prek kryesisht pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, të cilët deri tani kanë drejtuar automjete me targa nga qytete serbe ose nuk posedojnë dokumente të Kosovës.
Gjithashtu, punëtorët në institucionet shëndetësore dhe arsimore që funksionojnë në sistemin serb në Kosovë mund të përballen me probleme. Sipas rregullave, ata që nuk kanë dokumente të Kosovës duhet të kenë leje pune ose licencë, për të cilën kërkesa paraqitet në Agjencinë e Punësimit të Kosovës. Kjo nënkupton se institucionet serbe duhet të marrin licencë nga institucionet kosovare.