Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, e drejtuar nga Nenad Rashiq, ka arritur të sigurojë një mandat në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e zhvilluara më 7 qershor.
Ky rezultat ka nxitur kundërshtime nga Lista Serbe, e cila pretendon se mandati i Rashiqit është siguruar nga votat e zgjedhësve që nuk i përkasin komunitetit serb, duke hedhur dyshime mbi legjitimitetin e tij politik. Lista Serbe, e cila ka fituar 9 nga 10 mandatet e rezervuara për këtë komunitet, e sheh veten si përfaqësuesen e vetme legjitime. Në këto zgjedhje, Lista Serbe mori rreth 43.000 vota, ndërsa partia e Rashiqit siguroi 5.285 vota.
Nenad Rashiq, i cili ka shërbyer si ministër për Komunitete dhe Kthim në dy mandate në qeverinë e kryeministrit Albin Kurti, i ka hedhur poshtë akuzat. Ai deklaroi se mbështetjen e ka marrë nga një bazë e gjerë votuesish, duke përfshirë pjesëtarë të komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera joshumicë.
Eksperti Miodrag Marinkoviq nga organizata CASA në Mitrovicën e Veriut, vlerëson se nga pikëpamja juridike nuk ekziston asnjë dilemë për mandatin e fituar. Sipas tij, kontestimi nga Lista Serbe nuk ka bazë procedurale, por buron nga qëndrimet e ndryshme politike dhe bashkëpunimi i Rashiqit me institucionet qendrore të Kosovës.