Ilir Alimehmeti, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, deklaroi se deri në këtë moment nuk ka kandidatura të tjera të shpallura për drejtimin e partisë përveç Sali Berishës.
I ftuar në emisionin "Off the Record" në A2CNN, Alimehmeti theksoi se askush tjetër nuk ka prezantuar publikisht ambicie, vizion apo platformë për kreun e PD-së. "Nuk di të ketë kandidatura që deri sot të jenë shpallur, të kenë shpallur ambicie, një vizion apo platformë përveç asaj të doktor Sali Berishës. Nëse ka tjetër, do ta presim të na shfaqet", u shpreh ai.
Procesi organizativ i PD-së nis zyrtarisht pas Kuvendit Kombëtar të 6 qershorit. Në këtë mbledhje zgjidhet Këshilli Kombëtar, i cili më pas përzgjedh strukturat drejtuese, si Kryesia, nënkryetarët dhe sekretariatet. "Kuvendi zgjedh Këshillin Kombëtar dhe nga ai moment të gjitha instancat e tjera të kupolës së Partisë Demokratike zgjidhen nga Këshilli Kombëtar", sqaroi Alimehmeti.
Ai përmendi se pritet të ketë ndryshime në statutin e partisë. Për këto po punon një grup i posaçëm, por propozimet konkrete nuk janë bërë ende të njohura. "Bazuar në statut, është anticipuar se do të ketë disa ndryshime statutore. Nuk i dimë ende cilat janë", tha ai.
Alimehmeti shprehu preferencën për data më të hershme, pasi periudha e verës vështirëson aktivitetin politik. Megjithatë, datat janë caktuar dhe vendimet do të qartësohen pas paraqitjes së propozimeve nga grupi i punës.