Masimiliano Allegri, trajneri i Milanit, analizoi për DAZN fitoren e skuadrës në transfertë ndaj Pizës, duke marrë tre pikë që e çojnë në kuotën 53.
Allegri theksoi vështirësinë e ndeshjes: "Nuk ishte e thjeshtë sonte. Piza është një skuadër e pakëndshme. Në pjesën e parë rrezikuam. Të presin, të nxjerrin nga loja dhe më pas të godasin në kundërsulm. Edhe në rezultatin 1-1 fjetëm në një goditje dënimi të tyre. Djemtë ishin të mirë, por nga kjo ndeshje duhet patjetër të përmirësohemi. Kemi luajtur vetëm dy ndeshje në 15 ditë, nuk ishte e lehtë".
I pyetur për krahasimin me sezonin e kaluar, ai u shpreh: "Për vitin e kaluar nuk mund të them asgjë, as nuk është e drejtë. Mund të them vetëm se kjo skuadër ka vlera të rëndësishme teknike. Ndonjëherë e ulim pak ritmin, duhet të bëjmë një hap përpara sepse grupi ka cilësi të jashtëzakonshme. Djemtë e dinë se deri tani kanë bërë shumë, por në një javë kampionati mund të ndryshojë. Sonte ishte transferta e gjashtë në nëntë ndeshjet e fundit, ndërsa tani në 14 të fundit do të kemi tetë në shtëpi dhe gjashtë jashtë".
Allegri lavdëroi Luka Modriçin, heroin e ndeshjes: "Çfarë të thuash? Është një lojtar i jashtëzakonshëm. Përveç cilësive teknike të mrekullueshme, ai shkoi dhe e mori vetë këtë fitore, me një veprim teknik dhe karakterial. Të gjithë duhet të mësojmë prej tij, ka një përulësi të jashtëzakonshme. Jemi të lumtur që e kemi. Të rinjtë duhet ta shfrytëzojnë këtë moment kur stërviten dhe punojnë me të".
Sa i përket episodeve të tjera, trajneri shtoi: "Penalltitë mund të gabohen. Ishte një moment i rëndësishëm, mund të shkonim në 2-0, por ndodh. Kristian Pulisiç hyri shumë mirë, njësoj edhe Leao, dhe është normale që duhet të përmirësojnë formën. Inter apo Juventus? E rëndësishme është që ne morëm tre pikët. Jemi në kuotën 53, një fitore më pak drejt objektivit tonë. Tani rikuperojmë ndeshjen me Komon dhe pastaj do të shohim".