Ambasada Britanike në Kosovë ka dhuruar Policisë së Kosovës 2 automjete dhe 16 dronë me pajisje përcjellëse, me vlerë totale 153 mijë euro. Dorëzimi u bë në kuadër të partneritetit dhe bashkëpunimit bilateral.
Marrëveshja për pranim-dorëzimin e donacionit u nënshkrua nga drejtori i Departamentit të Policisë Kufitare Fehmi Xhata dhe përfaqësuesja e Ambasadës Britanike Emma Huntley.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, pajisjet e specializuara do të ndihmojnë njësitë policore në raste të ndryshme, si në identifikimin, gjurmimin, monitorimin dhe përcaktimin e vendndodhjes së automjeteve dhe personave të dyshimtë.
"Pajisjet e specializuara do të luajnë rol shumë të rëndësishëm, do të ndihmojnë dhe profesionalizojnë edhe më tepër punën e Policisë së Kosovës, në veçanti të njësive kufitare të cilat kujdesen për parandalimin e krimit transkufitar, kontrabandës dhe migrimit të paligjshëm", thuhet në njoftim.
Përditësime
Policia e Kosovës falënderon Ambasadën Britanike për përkrahjen e vazhdueshme, përfshirë dhuratën e 2 automjeteve dhe 16 droneve.
Këto mundësojnë ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, patrullimin kufitar dhe shërbimin efikas ndaj qytetarëve.