Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë shprehu më 26 tetor pikëllim të thellë për vrasjen e Arlinda Zekajt, e cila ishte drejtuar institucioneve të Kosovës për mbrojtje, nga frika se dhuna në familje i rrezikonte jetën. Ambasada theksoi se asnjë grua që kërkon ndihmë nuk duhet të mbetet pa mbrojtjen e nevojshme.
“Askush që ndërmerr hapin e guximshëm për të kërkuar ndihmë nuk duhet të mbetet pa mbrojtje”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Ambasada nënvizoi se gratë që përballen me rrezikun e dhunës në familje duhet të marrin mbështetjen e nevojshme për të qenë të sigurta, duke e cilësuar mbrojtjen e tyre si çështje themelore të sigurisë. Ajo kërkoi veprime konkrete nga institucionet përgjegjëse dhe koordinim efektiv ndërmjet tyre.
Në reagim u theksua gjithashtu se të mbijetuarat e dhunës duhet të jenë në qendër të trajtimit të rasteve. Ambasada vuri në dukje rëndësinë e llogaridhënies për veprimet dhe mosveprimet institucionale, si dhe të sigurimit të qasjes në drejtësi për viktimat.
Ambasada u shprehu ngushëllime familjes dhe të afërmve të Zekajt, duke shprehur shpresën që drejtësia të vihet në vend.