Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike dhe dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Në një njoftim zyrtar, institucioni diplomatik vlerësoi se Kuvendi është zemra e demokracisë, pasi mbikëqyr punën e qeverisë dhe mundëson miratimin e legjislacionit që ndikon në zhvillimin ekonomik e shoqëror.
Sipas ambasadës, Kosova ka qëndruar pa një parlament plotësisht funksional për shumë ditë gjatë dy viteve të fundit. Institucioni theksoi se përgjegjësia për këtë krizë bie mbi politikanët e vendit dhe jo mbi sistemin institucional. Liderët politikë janë ftuar të angazhohen urgjentisht në dialog dhe negociata paqësore, për të mirën e popullit të Kosovës dhe ruajtjen e partneriteteve ndërkombëtare.
Zhvillimet në seancën e fundit u karakterizuan nga kërkesa e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për kohë shtesë në propozimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit, me arsyetimin e nevojës për një marrëveshje politike rreth zgjedhjes së presidentit. Pas këtij qëndrimi, situata në sallë u tensionua, ku deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të kreut të LVV-së. Pas incidentit, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, vendosi ndërprerjen e punimeve.
Përditësime
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka rekomanduar që deputetët t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të zhbllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit. Ndërkohë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, vlerësoi se përpjekjet për një marrëveshje politike ende nuk duhet të shpallen të dështuara.