Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë të tregojnë kujdes dhe të shmangin zonat ku zhvillohen demonstratat, në prag të protestës së paralajmëruar për të shtunën. Në njoftimin e saj, ambasada tha se demonstratat vijojnë në qendër të Tiranës dhe pranë institucioneve qeveritare.
Sipas njoftimit, disa demonstrata janë shndërruar në përplasje të dhunshme, me përdorim të mjeteve ndezëse, hedhje gurësh dhe dëmtim të pronës. Ambasada paralajmëroi se demonstrata të tjera mund të zhvillohen në ditët në vijim, në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.
Protestat mund të përhapen në rrugët përreth, duke sjellë shtim të pranisë policore, ndërprerje të qarkullimit, devijime dhe mbyllje rrugësh. Personat që ndodhen në zonat e demonstratave ose pranë tyre mund të ekspozohen ndaj gazit lotsjellës, fishekzjarrëve të hedhur horizontalisht, mjeteve ndezëse dhe predhave prej gome. Ambasada tha se personelit të saj i është kërkuar të shmangë të gjitha zonat ku zhvillohen demonstratat.
Njoftimi paralajmëron gjithashtu për mbyllje të mëtejshme ose kufizim të shërbimeve publike në Tiranë, përfshirë transportin publik dhe institucionet qeveritare. Ambasada u këshilloi qytetarëve amerikanë të ndjekin mediat lokale dhe udhëzimet e autoriteteve, të jenë të vëmendshëm ndaj mjedisit përreth dhe të kenë një plan emergjence ose daljeje. Udhëzimet përfshijnë edhe kufizimin e shpërqendrimeve gjatë lëvizjes në publik dhe ruajtjen e një profili të ulët.