Ambasadori gjerman Rainer Rudolph foli për ligjin për të huajt dhe zbatimin e tij në Kosovë. Ai theksoi se fokusi i partnerëve ndërkombëtarë ka qenë mënyra praktike e zbatimit të këtij ligji.
Sipas tij, qëndrimi i partnerëve është që zbatimi të kryhet me kujdes, për të shmangur vështirësitë në jetën e përditshme të qytetarëve, sidomos për komunitetet pakicë. "Ne kemi qenë në kontakt shumë të afërt me qeverinë dhe me kryetarët e komunave që preken më shumë nga kjo. Qëndrimi ynë ka qenë që, nëse ligji zbatohet, prioriteti duhet të jetë që shërbimet shëndetësore dhe ato arsimore të mos dëmtohen", tha ai në RTK.
Ligji për të huajt në Kosovë rregullon hyrjen, qëndrimin dhe daljen e shtetasve të huaj nga vendi. Ai përcakton kushtet për pajisje me vizë, leje qëndrimi të përkohshme ose të përhershme, si dhe leje pune.
Ligji parasheh gjithashtu të drejtat dhe detyrimet e të huajve gjatë qëndrimit në Kosovë, duke përfshirë respektimin e rendit juridik. Në rast shkeljesh, ai parashikon masa si refuzimi i hyrjes, anulimi i lejes së qëndrimit, ndalimi apo dëbimi nga territori i Kosovës.