Ferit Hoxha, ambasador i Shqipërisë në Bashkimin Europian, u shpreh në një intervistë në Klan News me gazetarin Besard Jacaj se brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 do të mbyllen disa kapituj negociatash.
Ai theksoi se kjo vjen si pjesë e një plani pune të dakordësuar me Komisionin Europian, ku përfshihen afate realiste për mbylljen e një numri të konsiderueshëm kapitujsh. "Ne nuk po ecim as qorrazi dhe as me dëshirën tonë", sqaroi Hoxha, duke nënvizuar se procesi ndjek një plan të përbashkët.
Sipas tij, ecuria e procesit varet nga tre komponentë kryesorë: pala shqiptare me aktorët e saj, Komisioni Europian që negocion në emër të BE-së dhe vendet anëtare që vlerësojnë dhe vendosin.
Hoxha mohoi ndryshime në qëndrimin e Bashkimit Europian për zgjerimin, duke shpjeguar se Shqipëria ka kaluar në një fazë të re me metodologjinë e re të zgjerimit. Kjo përfshin 24 kërkesa specifike, të quajtura piketat e ndërmjetme, të përcaktuara në Konferencën e Dytë Ndërqeveritare gjatë hapjes së grupkapitullit të parë. Këto angazhime duhet të plotësohen dhe të verifikohen nga KE dhe vendet anëtare për të filluar mbylljen e kapitujve.
Ambasadori bëri të ditur se gjatë muajit shkurt një delegacion i veçantë i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Parlamentit Europian do të vizitojë Shqipërinë.