Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur zyrtarisht verifikimet lidhur me shpërndarjen në media të fotografive të Ergys Agasit, të cilat u bënë virale pas arrestimit të tij. Biznesmeni u ndalua nga Forcat Operacionale të Polisisë së Shtetit dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) në kuadër të hetimeve të SPAK për çështjen e lidhur me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Në njoftimet zyrtare të autoriteteve pas operacionit, identiteti i të arrestuarit ishte mbajtur konfidencial, me fytyrën e mbuluar për të respektuar prezumimin e pafajësisë dhe rregullat për mbrojtjen e të dhënave personale. Megjithatë, pas këtyre njoftimeve, në media qarkulluan fotografi ku Ergys Agasi shfaqej qartë, të shkrepura gjatë transportit nga Durrësi drejt Tiranës dhe brenda ambienteve të Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës.
Grupet e hetimit të AMP po kryejnë verifikime në terren për të identifikuar personat që kanë realizuar dhe shpërndarë këto pamje. Fokus i hetimeve është zbardhja e mënyrës se si u aksesuan ambientet dhe mjetet e policisë, si dhe identifikimi i punonjësve që kishin kontakt me të arrestuarin në ato momente. Në përfundim të këtij procesi, AMP pritet të dalë me një njoftim zyrtar mbi gjetjet e hetimit administrativ.
Përditësime
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka pezulluar nga detyra një efektiv të Policisë së Tiranës, si masë disiplinore pas hetimeve administrative. Vendimi vjen pas zbulimit të përgjegjësive lidhur me publikimin e fotografive të biznesmenit Ergys Agasi gjatë shoqërimit të tij. Autoriteti vijon verifikimet për të konstatuar nëse ka pasur shkelje të tjera protokollare nga punonjës të përfshirë në zinxhirin e ruajtjes së të arrestuarit.
Drejtoria e Standardeve Profesionale ka zgjeruar hetimet lidhur me shpërndarjen e fotove të të arrestuarve, duke pezulluar nga detyra dy efektivë të forcave speciale 'Shqiponja'. Hetimi konfirmon se shkrepja e pamjeve ka ndodhur gjatë transportit të të arrestuarve në aksin Elbasan-Durrës. Përveç biznesmenit Ergys Agasi, në fotot e publikuara shfaqet edhe ish-polici Uljan Shpataraku.