Dy punonjës të forcave Shqiponja pranë Policsë së Tiranës janë pezulluar nga detyra si pasojë e një hetimi administrativ të nisur nga Drejtoria e Standardeve Profesionale. Masa disiplinore është ndërmarrë pas publikimit të fotografive të shtetasve Ergys Agasi dhe Ulian Shpataraku në ambientet e brendshme të policisë, pas arrestimit të tyre.
Në një përgjigje zyrtare, Policia e Shtetit ka konfirmuar se ndaj efektivëve ka nisur një hetim disiplinor për shkelje të rëndë. Autoritetet kanë sqaruar se pamjet e realizuara jashtë ambienteve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë nuk janë shkrepur nga strukturat e saj, por nga kalimtarë. Megjithatë, për fotografitë e realizuara në ambientet e brendshme, hetimet po vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë, autorët dhe mënyrën se si materialet dolën jashtë institucionit.
Sipas njoftimeve zyrtare, autoritetet po kryejnë verifikime edhe për efektivë të tjerë. Institucioni thekson se nxjerrja e materialeve të përfituara për shkak të detyrës pa autorizim përbën shkelje ligjore dhe sjell përgjegjësi. Rasti ka hapur debat mbi administrimin e materialeve pas arrestimeve dhe ruajtjen e dinjitetit të personave të ndaluar.