Përzgjedhësi i kombëtares së Brazilit, Carlo Ancelotti, ka reaguar ndaj zërave kritikë lidhur me mënyrën e lojës së skuadrës në Kupën e Botës. Në deklaratat e tij, ai theksoi se përvoja e gjatë profesionale është dëshmia më e mirë e aftësive të tij.
Duke iu kundërpërgjigjur komenteve, Ancelotti vuri në dukje autoritetin e legjendës së Manchester United, Alex Ferguson. "Nuk e di nëse e kuptoj futbollin apo jo, por askush nuk mund të më gjykojë për këtë. E vetmja gjë e sigurt është se jam përgatitur për më shumë se 1.400 ndeshje. Ndoshta kjo nuk mjafton për ta kuptuar futbollin, por sigurisht që është një përvojë e madhe", u shpreh trajneri.
Më tej, ai shtoi: "Vetëm një person ka drejtuar më shumë ndeshje se unë: Alex Ferguson, i cili ka udhëhequr mbi 2.000 ndeshje. Unë pranoj këshilla nga të gjithë, por i vetmi person që do të ishte më i përshtatshëm për të më dhënë këshilla është Alex Ferguson. Jam njëqind për qind i sigurt se nuk jam gjeni, por në të njëjtën kohë jam njëqind për qind i sigurt se nuk jam budalla".
Ndonëse një pjesë e tifozëve kanë shprehur pakënaqësi për mungesën e një loje më sulmuese nga ana e kombëtares së Brazilit, raportet konfirmojnë se brenda dhomave të zhveshjes mbështetja për Ancelottin mbetet e plotë nga ana e futbollistëve.