Agjenda e takimit të radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, i planifikuar për mes të muajit maj, nuk është bërë e ditur ende. Ky takimi, ku marrin pjesë përfaqësuesit e 46 shteteve anëtare, do të përcaktojë nëse do të shqyrtohet anëtarësimi i Kosovës.
Në faqen zyrtare të Këshillit të Evropës nuk figuron draft-agjenda. Estelle Steiner, këshilltare për media dhe komunikim në këtë organizatë, ka thënë se "draft-agjenda për sesionin e ardhshëm të Komitetit të Ministrave nuk është ende e disponueshme, megjithatë do t’ju mbajmë të informuar për çdo zhvillim".
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës konfirmon se po ndjek nga afër zhvillimet. Sipas saj, deri tani nuk ka pranuar konfirmim zyrtar nëse aplikimi për anëtarësim do të shqyrtohet në takimet e ardhshme të Komitetit të Ministrave ose organeve të tjera. Ministria vazhdon komunikimin me shtetet anëtare, parlamentarët dhe grupet politike në kuadër të Asamblesë Parlamentare për të siguruar mbështetje.
Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do ta forconte subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, duke i dhënë asaj të drejta të plota në një organizatë ndërqeveritare me status të lartë. Procesi është në përputhje me opinionin pozitiv të Asamblesë Parlamentare. Institucionet në Prishtinë po vazhdojnë përpjekjet diplomatike për avancimin e këtij procesi.