Gjykata e Apelit e Kosovës anuloi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, i cili kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të pandehurve për veprën penale të shpëlarjes së parave.
Në njoftimin e publikuar të premten, Apeli bëri të ditur se e ka miratar si të bazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Sipas detyrës zyrtare, ajo anuloi aktvendimin e Gjykatës Themelore dhe e ktheu çështën në rivendosje.
Gjykata Themelore në Prishtinë kishte vendosur më 27 shkurt 2026 të refuzojë kërkesën për paraburgim ndaj të pandehurve me inicialet E.A., A.K. dhe A.L., të dyshuar për veprën penale "Shpëlarja e parave" sipas nenit 302 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, në lidhje me dispozitat përkatëse të ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit. Me vendimin e saj, gjykata e shkallës së parë kishte urdhëruar lirimin menjëherë të të pandehurve për t’u mbrojtur në liri nga kjo datë.
Kolegji i Gjykatës së Apelit konstaton se aktvendimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të lidhura me zbatimin e gabuar të dispozitave materiale. Gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme se si ka arritur në përfundimin se nuk ekziston dyshim i bazuar për kryerjen e veprës penale nga të pandehurit.
Në rastin e refuzimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale për caktimin e paraburgimit, gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me mos ekzistimin e dyshimit të bazuar. Arsyetimi i aktvendimit rezulton i përgjithësuar, i paqartë dhe në disa pjesë kontradiktor.