Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar konfirmoi këtë të mërkurë vendimin e Shkallës së Parë për mbajtjen në paraburgim të vëllezërve Artur dhe Klevis Hoxhosmani. Të dy shtetasit ndodhen në qeli prej korrikut të vitit 2025, pas një operacioni të SPAK-ut që goditi një grup kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Sipas akuzës, aktiviteti kriminal është përqendruar në vitin 2020, ku grupi dyshohet se ka trafikuar rreth 6 tonë kokainë me origjinë nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Vlera e kësaj sasie në treg llogaritet të jetë rreth 411 milionë euro.
Zbardhja e këtij aktiviteti u mundësua nga analizimi i komunikimeve në aplikacionet Sky ECC dhe EncroChat. Për shmangien e gjurmëve financiare dhe sistemit bankar, pjesëtarët e grupit përdornin sistemin Hawala për kryerjen e pagesave. Dokumentimi i kësaj veprimtarie u mbështet edhe nga dëshmitë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Erjon Alibej, ndërsa hetimet për këtë grup nisën fillimisht në kuadër të procedimeve për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja.