Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar miratoi vendimet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke lënë në fuqi pezullimin e Belinda Ballukut nga ushtrimi i detyrave publike si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Vendimi u shpall më 9 mars 2026 në Tiranë, për çështjen penale nr. 5 akti, datë 10.02.2026 regjistrimi.
Çështja u shqyrtua nga trupa gjykuese monokratike e përbërë nga gjyqtare Miliana Muça, pas pezullimit të mëparshëm të shqyrtimit gjyqësor të çështjes nr. 86 akti, datë 11.12.2025. Ankimi i Ballukut kundërshtonte vendimet nr. 118, datë 19.11.2025, dhe nr. 120, datë 22.11.2025, të GJKKO, për caktimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit "Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik", sipas nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale.
SPAK e ka akuzuar Ballukun për shkelje të barazisë në tendera. Disa javë më parë, Apeli i Posaçëm kishte pezulluar shqyrtimin e ankimit derisa të vendoste Gjykata Kushtetuese. Kjo e fundit la në fuqi pezullimin, duke rrëzuar pretendimet e kryeministrit Edi Rama, dhe Apeli i Posaçëm rihapi çështjen.
Ndërkohë, Belinda Balluku është shkarkuar nga të dy funksionet në qeveri.