Gjykata e Apelit të Posaçëm kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka lënë në fuqi masën e sekuestros mbi 25 pasuri të paluajtshme, duke rrëzuar kërkesën e Argita Berishës dhe Jamarbër Malltezit për zhbllokimin e tyre. Trupi gjykues, me gjyqtar Engert Pëllumbi, konfirmoi vendimin e marrë më parë nga shkalla e parë, ndërsa theksoi se edhe Gjykata e Lartë më herët kishte mbajtur të njëjtin qëndrim lidhur me këtë çështje.
Pasuritë në fjalë janë sekuestruar në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për dosjen “Partizani”, e cila lidhet me privatizimin e ish-kompleksit sportiv. Në këtë proces gjyqësor, Jamarbër Malltezi akuzohet për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”, ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha është nën akuzë për “korrupsion pasiv”.
Në listën e pasurive të sekuestruara përfshihen:
• 6 llogari bankare në valuta të ndryshme (lek, euro, dollarë);
• Apartamente të ndryshme në Tiranë, përfshirë ato në rrugën “Mustafa Matohiti” dhe “Dëshmorët e 4 Shkurtit”;
• Njësi shërbimi dhe bodrume në kryeqytet;
• Vilë në Gjirin e Lalzit;
• Kuota në masën 45%, 100% dhe 60% në tre shoqëri, mes të cilave “Shoqëria Homeplak” shpk, si dhe një palestrë në ish-kompleksin “Partizani”.
Sipas të dhënave të publikuara gjatë hetimeve, përveç pasurive të sekuestruara me vlerë rreth 5.4 milionë euro, hetimet e SPAK kanë evidentuar edhe pagesa bankare për prona të tjera jashtë vendit, konkretisht apartamente në Mynih (450 mijë euro), Bruksel (395 mijë euro), Roterdam (360 mijë euro) dhe Budapest (155 mijë euro). Prokuroria vijon hetimet për të përcaktuar nëse ka pasuri të tjera të padeklaruara.