Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka ndryshuar masën e sigurisë për Erind Agalliun, i njohur me pseudonimin Teneqexhiu, duke vendosur zëvendësimin e arrestit me burg me atë të arrestit në shtëpi. Vendimi u shpall nga gjyqtari Engert Pëllumbi, pas shqyrtimit të ankimit të paraqitur nga mbrojtja kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.
Erind Agalliu është një prej 11 shtetasve shqiptarë ndaj të cilëve janë caktuar masa sigurie në kuadër të një hetimi ndërkombëtar të koordinuar nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet finlandeze. Sipas hetimeve që zgjatën rreth 18 muaj, katër grupe të strukturuara kriminale, të drejtuara nga shtetas shqiptarë, kanë trafikuar lëndë narkotike nga Holanda dhe Spanja drejt Finlandës dhe vendeve të tjera skandinave.
Episodet e dokumentuara përgjatë viteve 2022-2024 përfshijnë trafikimin dhe shitjen e rreth 400 kg amfetaminë, mbi 500 kg kanabis, si dhe sasi të konsiderueshme kokaine dhe ekstazi. Hetimi u mbështet në përdorimin e metodave speciale, duke përfshirë përgjime të komunikimeve, vëzhgime fotografike dhe shkëmbim të provave në kohë reale me Byronë Kombëtare të Hetimit të Finlandës. Pjesëtarë të këtyre grupeve janë ndjekur penalisht edhe nga gjykatat finlandeze për të njëjtën veprimtari.
Prokuroria e Posaçme vazhdon hetimet për të zbardhur rolin e secilit prej të përfshirëve në këtë rrjet kriminal. Pas operacionit të zhvilluar më 3 qershor 2026, masat e sigurisë u ekzekutuan për 9 nga 11 personat e dyshuar.