Në prag të seancës gjyqësore ku pritet të shpallet aktgjykimi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka reaguar Arian Krasniqi, nipi i Jakup Krasniqit.
Në mesazhin e tij, Arian Krasniqi e ka përshkruar këtë moment si një fazë vendimtare për historinë e Kosovës. Ai ka nënvizuar se lufta për liri dhe barazi ishte e drejtë, duke u shprehur se ajo ka rrënjët në sakrificat dhe vuajtjet e popullit të Kosovës. Sipas tij, kjo luftë nuk duhet të barazohet me agresionin serb, pasi shqiptarët ishin ata që kërkonin dinjitetin dhe të drejtën për të jetuar të lirë.
Krasniqi ka shprehur shpresën dhe besimin se e vërteta e historisë së popullit të Kosovës do të ruhet ashtu siç është përjetuar nga qytetarët dhe siç njihet nga bota. "Sot, me shpresë dhe besim, presim aktgjykimin. Le të mbetet e vërteta e historisë sonë e paprekur", ka shkruar ai në mesazhin e tij publik, pak orë para shpalljes së verdiktit të gjykatës.